Europe BaGpackers! - Shkembim kulturor ne Gjermani

Europe BaGpackers!

Promovimi i Europës multikulturore përmes krijimit dhe mbajtjes së çantave prej cope me mesazhe kundër anti-racizmit dhe anti-ksenofobisë.  23.03-01.04.2012, Potsdam/Gjermani       

Ky ishte një nga  aktivitetet e rradhës ndërkombëtare ku një grup të rinjsh vullnetar pranë Përtej Barrierave dhe Shërbimit Vullnetar Lokal morën pjesë duke përfaqësuar Shqiperinë. Aktiviteti u organizua në fund të muajit Mars 2012, me pjesëmarrjen e të rinjve nga disa vende të ndryshme të Evropës si: Shqipëria, Bosnje dhe Herzegovina, Franca, Gjermania, Letonia, Polonia dhe Serbia.

Eni Tresa, Erindi Murati, Gjergji Bello, Holta Meçani dhe Erjola Hoxha ishin ata qe perfaqësuan organizaten tonë ne aktivitet i cili u zhvillua në dy qytet, Berlin dhe Potsdam, i finacuar nga Programi “Youth in Action” i Komisonit Europian.

Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte ndërveprimi multikultural mes të rinjve europianë. Lojërat me role, simulimet  dhe diskutimet nxisnin frymën e ndërveprimit dhe ndarjes së ideve me njëri-tjetrin. Sesionet e ndryshme te organizuara gjate diteve, i shërbyen secilit prej nesh për të zbuluar vizionet personale mbi të tashmen e të ardhmen e Evropës; gjërat që duhen vlerësuar, por dhe ato që duhen korrigjuar. Kështu shkëmbimi rinor shpalosi opinionet dhe botëkuptimet e gjithsecilit prej nesh mbi Europën dhe të qënurit europianë. Gjatë pushimeve për kafe, ne bisedonim për tema të ndryshme dhe kjo na ndihmoi të njiheshim më mirë me njëri-tjetrin, të zbulonim pika të përbashkëta mbi Evropën dhe të refletonim lidhur me kontributet që çdokush mund të jepte për të pasur një Europë të bashkuar. 

“Intercultural Evenings” apo ndryshe netët e prezantimit të kulturave të ndryshme, nxorrën në pah shumë elementë kulturorë specifikë për çdo vend. Performanca e çdo grupi kombëtar për të prezantuar vendin e tyre përmes videove, kuiceve me dhurata, ushqimeve tradicionale, këngëve dhe kërcimeve  ishte unike. Edhe pse me tradita e kultura të ndryshme, diversiteti solli kënaqësi te ne dhe u pranua me optimizëm, dashamirësi e pa komplekse.   

Një pjesë interesante e punës ishte mundësia që na u ofrua për të  mësuar disa teknika mbi fotografimin e pamjeve, përzgjedhjen e objekteve dhe subjekteve të ndryshme. Çdo imazh, mjedis apo detaj në dukje modest, përbënte diçka që ia vlente ta inkuadroje në aparat fotografik. Pastaj këto  elemente do t’i ndërthurnim për të krijuar një mozaik fotosh, kolazh, pse jo edhe të shprehnim mesazhe përmes tyre.   Për të realizuar detyrën , puna u organizua në grupe me nga 6-7 persona. Çdo ekip duhet të kishte disa aparate fotografikë me vete, në  mënyrë që të arrinim të grumbullonim sa më shumë imazhe.

 Synimi për të pasur një kontinent model, me simbolet e tij u pasqyrua më së miri në kolazhin e fotove.  Si kolazh u përdorën  koleksioni i fotografive më të bukura të marrë në 2 qytetet: Berlin dhe Potsdam. Më pas kolazhet u printuan në çanta. Këto çanta u prezantuan në ekzibicionin që u bë ditën e fundit të aktivitetit; të shoqëruara me aktrim, imitime dhe kërcime. Performanca me çantat, ekspozimi i tyre në rrugët e Berlinit dhe Potsdamit  përmbyllën kështu aktivitetin rinor 10 ditor.

Holta Meçani